Transmetuar më 19-07-2026, 18:01

Italia është tronditur nga vrasja e gazetarit sportiv Luigi Esposito, 53 vjeç, trupi i të cilit u gjet i karbonizuar në një zonë bujqësore në Eboli, pranë Salernos, në jug të vendit.

Sipas mediave italiane, viktima punonte në Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe ishte bashkëpunëtor i disa mediave lokale. Trupi i tij u zbulua nga zjarrfikësit gjatë ndërhyrjes për shuarjen e një zjarri në shkurre. Për shkak të dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga flakët, identifikimi fillestar rezultoi i pamundur.

Hetimet morën një tjetër drejtim pasi pranë vendit të ngjarjes u gjet automjeti i viktimës. Sipas dyshimeve paraprake të hetuesve, Esposito është qëlluar me armë zjarri dhe më pas trupit të tij i është vënë flaka për të fshehur gjurmët e krimit.

Në vendngjarje, karabinierët sekuestruan disa gëzhoja, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes dhe të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.

Luigi Esposito ishte një emër i njohur në gazetarinë sportive italiane. Ai kishte bashkëpunuar me gazetën La Città di Salerno, televizionin Ottochannel dhe ishte themelues i portalit sportiv Tuttosalernitana.com. Krahas angazhimit në media, ai ishte diplomuar në biologji dhe kishte përfunduar edhe studimet në letërsi.

Prokuroria e Salernos, nën drejtimin e Raffaele Cantone, ka nisur hetimet dhe po shqyrton të gjitha pistat për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit të kësaj vrasjeje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit