

Romeo Bajrami, 40 vjeç, është vënë nën akuzë nga autoritetet federale amerikane për hyrje të paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Ai dyshohet se kaloi kufirin nga Kanadaja me një motor uji të tipit Sea-Doo, të marrë me qira.
Sipas dosjes penale, gjatë kalimit të lumit St. Clair, Bajrami ka transmetuar drejtpërdrejt në Facebook, dhe pamjet janë përfshirë si prova në hetim.
Hetimet treguan se ai kishte marrë me qira mjetin lundrues në qytetin Sarnia të Kanadasë, por nuk e kishte kthyer. Pas njoftimit të autoriteteve kanadeze, Garda Bregdetare dhe Patrulla Kufitare amerikane nisën kërkimet, duke gjetur motorin e ujit të braktisur në brigjet e Port Huron, Miçigan.
Agjentët zbuluan edhe një video publike në Facebook, ku sipas tyre shfaqej Bajrami duke kaluar lumin me Sea-Doo. Të dhënat e vendndodhjes së videos përputheshin me zonën ku ai dyshohej se kishte hyrë ilegalisht në territorin amerikan.
Pas gati një viti hetimesh, Bajrami u lokalizua në një burg në Boston, ku ndodhej i arrestuar për një çështje tjetër.
Tani ai përballet me akuzën për hyrje të paligjshme në SHBA dhe, nëse shpallet fajtor, rrezikon deri në gjashtë muaj burg.
Ngjarja, e ndodhur më gusht 2025, pasoi këtë komunikatë policore:

Një burrë nga Toronto kalon ilegalisht në SHBA me një Sea-Doo të vjedhur në Sarnia
Më 9 gusht 2025, në orën 21:40, policia u njoftua për një person të zhdukur, në lidhje me marrjen me qira të një mjeti lundrues personal në Sarnia. Një burrë, i identifikuar si Romeo BAJRAMI, kishte marrë me qira një Sea-Doo duke paguar me para në dorë në orën 18:45, me afat kthimi në orën 19:45, por nuk ishte kthyer.
Nga hetimet rezultoi se burri ishte larguar nga moli në orën 18:40, duke u drejtuar për në jug, përgjatë lumit St. Clair. Lumi St. Clair përbën kufirin ndërkombëtar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
Kur BAJRAMI nuk u kthye në orën e përcaktuar, 19:45, kompania e qiradhënies e kontaktoi me telefon. Ai kërkoi falje për vonesën, dha disa justifikime të dyshimta, por deklaroi se ndodhej vetëm 10 minuta larg.
Në orën 20:20, ai iu përgjigj një telefonate tjetër dhe tha përsëri se do të kthehej së shpejti. Më pas u bënë edhe disa telefonata të tjera, por ai nuk u përgjigj. Në orën 21:40 u njoftua policia.
Policia e Sarnia-s lëshoi një njoftim për agjencitë policore të zonave përreth, duke kërkuar që të informohej nëse BAJRAMI ose Sea-Doo-ja do të lokalizoheshin.
Në këtë fazë, oficerët dyshonin për një vjedhje të mundshme ose për një zhdukje të qëllimshme, për shkak të humbjes së depozitës dhe sjelljes shmangëse të tij.
Policia e Sarnia-s njoftoi Rojën Bregdetare Kanadeze, Shërbimin Zjarrfikës të Sarnia-s dhe Shërbimin Zjarrfikës të Point Edward. Këto agjenci u angazhuan për të kryer kërkime ujore në lumin St. Clair, duke u përqendruar në zonat në jug të marinës, drejt ishullit Stag, si edhe në veri, drejt liqenit Huron.
Kërkimet në këto zona ujore, në anën kanadeze, nuk dhanë rezultat. U njoftuan gjithashtu Agjencia Kanadeze e Shërbimeve Kufitare, CBSA, si edhe Policia e Torontos, e cila kreu një kontroll në banesën e tij.
Pak pas mesnatës, Roja Bregdetare Amerikane njoftoi se e kishte gjetur Sea-Doo-n në bregun amerikan, në jug të Sarnia-s.
Pranë Sea-Doo-së u gjetën një këmishë që BAJRAMI ishte parë duke e veshur për herë të fundit, një jelek shpëtimi dhe çelësat e mjetit.
Besohet se BAJRAMI ka arritur të kryejë me sukses një kalim të paligjshëm të kufirit. Autoritetet amerikane të doganave dhe emigracionit janë njoftuar dhe po e hetojnë këtë ngjarje.
Policia e Sarnia-s ka lëshuar një urdhër-arresti për Romeo BAJRAMIN, 40 vjeç, banues në Lakeshore Road në Toronto, me akuzën e vjedhjes së një mjeti motorik.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






