

Protestat në Iran kishin nisur si një lëvizje kundër rritjes së çmimeve, por më pas u shndërruan në demonstrata kundër qeverisë
Drejtësia iraniane njoftoi sot ekzekutimin me varje, në agim, të dy burrave që akuzoheshin si përgjegjës për vrasjen e policëve gjatë protestave kundër qeverisë që tronditën Iranin në dhjetor dhe janar.
Sipas autoriteteve gjyqësore, Erfan Esfandiari dhe Gol-Mohammad Mohammadi “lidhën policë në një tabelë rrugore me litarë, i plagosën duke u hedhur gurë, i spërkatën me benzinë dhe u vunë flakën”, në Isfahan (Iran qendror). Sipas aktakuzës, dy burrat “filmuan skenën e vrasjes dhe transmetuan pamjet në televizione jashtë vendit”.
Erfan Esfandiari dhe Gol-Mohammad Mohammadi u ekzekutuan sot pas konfirmimit të dënimit të tyre nga Gjykata e Lartë, sqaroi drejtësia.
Njoftimi nuk jep detaje për datën e arrestimit apo të gjyqit të tyre.
Në dhjetor një lëvizje kundërshtimi ndaj pushtetit, e cila fillimisht nisi si protestë kundër rritjes së kostos së jetesës, u shndërrua shpejt në demonstrata masive kundër qeverisë që kulmuan më 8 dhe 9 janar.
Autoritetet iraniane raportuan mbi 3.000 viktima, duke ia atribuar dhunën “akteve terroriste” të orkestruara nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Organizatat joqeveritare me seli jashtë vendit, nga ana e tyre, folën për një shtypje që shkaktoi mijëra viktima.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






