Transmetuar më 19-07-2026, 16:14

Seanca gjyqësore për caktimin e masave të sigurisë ndaj tre të dyshuarave për zhdukjen e 69 milionë lekëve në një filial të Postës Shqiptare në Durrës është shoqëruar me debate mes prokurorisë dhe mbrojtjes.

Sipas organit të akuzës, shuma monetare dyshohet se është tërhequr nga arka qendrore gjatë muajve prill dhe maj, përmes veprimeve kontabël të kryera në kundërshtim me procedurat.

Prokuroria thotë se fondet nuk janë regjistruar si hyrje në degët e Shijakut dhe Krujës.

Në fokus të hetimit është ish-drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare, Elisabeta Mataj, e cila dyshohet për përvetësimin e shumës përmes përdorimit të dokumentacionit të falsifikuar dhe veprimeve të parregullta financiare.

Një nga provat e paraqitura nga prokuroria lidhet me frekuentimin e kazinove nga Mataj dhe bashkëshorti i saj. Sipas akuzës, ish-drejtoresha rezulton të ketë hyrë 340 herë në ambiente kazinoje, përfshirë edhe periudhën kur dyshohet se janë kryer veprimet që çuan në mungesën e fondeve.

Për këtë çështje, prokuroria ka administruar edhe pamje filmike nga hyrje-daljet në dy kazino në Tiranë.

Mbrojtja e Matajt e kundërshtoi këtë provë, duke argumentuar se ajo përbën cenim të jetës private dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me akuzën penale.

Avokatët kërkuan një masë më të butë sigurie për klienten e tyre, duke theksuar se ajo është nënë e gjashtë fëmijëve dhe se nuk paraqet rrezik për t’iu shmangur drejtësisë.

Mbrojtja hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se Mataj ishte larguar nga vendi për t’iu shmangur hetimit, duke sqaruar se hyrja e saj në Shqipëri ishte kryer përmes pikës kufitare të Morinës, e cila sipas tyre nuk pasqyrohet në sistemin TIMS për shkak të procedurave të kalimit me Kosovën.

Gjatë seancës, avokatët paraqitën edhe dokumente që, sipas tyre, tregojnë se Mataj kishte denoncuar më herët problematika në sektorin financiar, kishte kërkuar kontrolle dhe masa disiplinore ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe kishte informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Postës.

Nga ana tjetër, ish-shefja e financës Valbona Duni deklaroi se fondet janë marrë nga zyra e saj nga drejtoresha dhe nuk janë kthyer më. Ndërsa arkëtarja Paola Dana mohoi të ketë përfituar para, duke pretenduar se veprimet financiare në filial kryheshin vetëm me urdhër të drejtueses.

Në përfundim të seancës, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për Elisabeta Matajn, ndërsa për Valbona Dunin dhe Paola Danën caktoi masën “arrest në shtëpi”.

Për ngjarjen janë depozituar tre kallëzime penale: një nga Posta Shqiptare ndaj tre të dyshuarave, një nga Valbona Duni ndaj Elisabeta Matajt dhe një tjetër nga vetë Mataj ndaj Dunit dhe Danës. Prokuroria pritet t’i bashkojë çështjet në një procedim të vetëm hetimor.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit