

Një programues 34-vjeçar nga Fieri ka krijuar një sistem teknologjik inovativ që synon të modernizojë punën e bletarëve dhe të rrisë sigurinë e prodhimit të mjaltit.
Kadri Manaj, inxhinier IT, nuk është mjaftuar vetëm me krijimin e një programi kompjuterik, por ka zhvilluar edhe një pajisje inteligjente që vendoset në koshere dhe monitoron në kohë reale temperaturën, lagështinë dhe peshën e saj.
Falë kësaj teknologjie, bletarët mund të marrin informacion të detajuar për gjendjen e kosheres edhe kur ndodhen larg saj. Sistemi u mundëson atyre të ndjekin zhvillimin e kolonisë së bletëve dhe të përcaktojnë momentin më të përshtatshëm për vjeljen e mjaltit.
Manaj shpjegon se pajisja funksionon përmes sensorëve të vendosur brenda kosheres. Të dhënat e mbledhura transmetohen në një server, ku përpunohen dhe më pas i dërgohen bletërritësit direkt në telefon.
“Është një pajisje që vendoset brenda kosheres dhe mat në kohë reale temperaturën, lagështinë dhe peshën e saj. Në këtë mënyrë mund të shikosh sasinë e mjaltit dhe gjendjen e kosheres pa qenë nevoja të jesh fizikisht aty”, shpjegon inxhinieri.
Ideja për krijimin e këtij sistemi nisi nga një kërkesë personale e një miku të tij, i cili kishte një park bletësh dhe kërkonte një mënyrë më praktike për monitorimin e tyre. Me kalimin e kohës, projekti u zhvillua me synimin për t’u shërbyer të gjithë bletarëve.
Përveç monitorimit të parametrave të kosheres, pajisja shërben edhe si sistem sigurie. Ajo mund të dërgojë sinjalizime në rast se dikush tenton të hapë kosheren ose nëse ajo sulmohet nga kafshë të ndryshme, përfshirë edhe arinjtë.
“Nëse një person ose një kafshë hap kosheren, sistemi të njofton menjëherë dhe bletari mund të reagojë në kohë”, tregon Manaj.
Megjithatë, përdorimi i kësaj teknologjie nga bletarët mbetet ende i kufizuar, kryesisht për shkak të kostove. Një sensor për një koshere kushton rreth 45 euro, ndërsa stacioni qendror i përpunimit të të dhënave arrin në rreth 200 euro.
Kadri Manaj është i njohur edhe për projekte të tjera krijuese. Gjashtë vite më parë, pasioni për automjetet klasike e çoi drejt ndërtimit të një makine retro me emrin “Lotus”. Sot, ai vijon të kombinojë teknologjinë dhe inovacionin me projekte që synojnë të sjellin zgjidhje praktike për komunitetin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






