Transmetuar më 19-07-2026, 15:05

Partia Demokratike do të mbledhë nesër Grupin Parlamentar për të vendosur nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë në seancën e radhës plenare në Kuvend.

Mbledhja është planifikuar të zhvillohet të hënën, më 20 korrik, në orën 11:00 në selinë e Partisë Demokratike, një orë përpara nisjes së seancës së parafundit parlamentare.

Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili deklaroi se deputetët do të përgatiten për çdo skenar, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit të opozitës në sallën e Kuvendit.

“Të hënën, datë 20 korrik, ora 11:00 do të zhvillojmë mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD në seli. Është caktuar seancë plenare në orën 12:00. Përgatitemi në çdo rast për seancën, që të jemi gati nëse grupi parlamentar vendos që të marrim pjesë”, ka deklaruar Bardhi.

Vendimi vjen pas dy seancave të fundit plenare, ku deputetët e opozitës nuk morën pjesë. Mungesa e tyre ka shkaktuar debate brenda kampit opozitar, pasi disa deputetë kanë kërkuar rikthimin në Kuvend dhe pjesëmarrjen aktive në punimet parlamentare.

Pritet që mbledhja e Grupit Parlamentar të përcaktojë qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike për seancën e ardhshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit