Transmetuar më 19-07-2026, 15:59

Organizata e Energjisë Atomike e Iranit ka deklaruar se një sulm ajror amerikan kishte në shënjestër centralin bërthamor të Darkhovinit, një objekt që ndodhet ende në fazën e ndërtimit në jugperëndim të vendit.

Në një reagim të publikuar në platformën “X”, autoriteti iranian e dënoi sulmin, duke e cilësuar si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Sipas Teheranit, objekti është një central me qëllime paqësore dhe ndodhet nën mbikëqyrjen e mekanizmave ndërkombëtarë të kontrollit.

“Një sulm ndaj një objekti bërthamor paqësor nën masat mbrojtëse ndërkombëtare është një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit.

Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë ende informacion mbi shkallën e dëmeve të shkaktuara nga sulmi dhe as nëse ka pasur viktima.

Deklarata vjen në një periudhë të rritjes së ndjeshme të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Gjatë ditëve të fundit, Uashingtoni ka kryer sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj bazave dhe objekteve që, sipas tij, lidhen me praninë ushtarake amerikane në rajon.

Përplasjet mes dy vendeve vijojnë pavarësisht një memorandumi mirëkuptimi të ndërmjetësuar nga Pakistani dhe të nënshkruar në muajin qershor, i cili synonte ndalimin e konfliktit dhe krijimin e kushteve për një marrëveshje më afatgjatë paqeje.

Deri tani, pala amerikane nuk ka dhënë një konfirmim të pavarur mbi pretendimet e Iranit për objektivin e goditur.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit