Transmetuar më 19-07-2026, 14:59

Policia e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, duke zbuluar një plan të dyshuar për atentat ndaj Preng Gjinit, personi që në vitin 2020 u bë objekt i një sulmi me eksploziv në Tiranë.

Sipas të dhënave hetimore dhe provave të sekuestruara, atentati i radhës dyshohet se ishte planifikuar të kryhej ndaj Gjinit, ndërsa policia ka arrestuar në flagrancë një person të dyshuar si i përfshirë në përgatitjen e ngjarjes.

I arrestuari është 38-vjeçari Euglen Buraku, banues në Durrës, i cili u kap në zonën e fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau i Dejës. Gjatë kontrollit, atij iu gjet një sasi lënde plasëse e pajisur me mekanizëm shpërthimi në distancë përmes një aparati celular.

Sipas burimeve hetimore, gjatë ekspertimit të telefonit të të arrestuarit është gjetur edhe një fotografi e Preng Gjinit, çka ka ngritur dyshimet e autoriteteve për objektivin e sulmit të planifikuar.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu për përfshirjen e një personi tjetër, 34-vjeçarit Eduard Përgjoka. Gjatë kontrollit në banesën e tij në Rubik, janë sekuestruar kapsolla detonatorësh, 11 aparate celularë dhe fara kanabisi. Përgjoka është shpallur në kërkim nga autoritetet.

Dy të dyshuarit po hetohen për veprat penale “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.

Hetimet lidhen me dosjen “REVANSHI” të SPAK, ku sulmi i vitit 2020 ndaj Preng Gjinit është hetuar si një ngjarje me motive të dyshuara gjakmarrjeje. Në kuadër të kësaj dosjeje, disa persona janë marrë nën hetim si të dyshuar për organizimin, sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e atentatit.

Hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë vijojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit