Transmetuar më 19-07-2026, 14:10

Katër ish-udhëheqësit e UÇK mbeten në qeli deri në vendimin e shtyrë më 16 shtator, por çfarë pritet të ndodhë deri atëherë

Katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duhet të presin datën 16 shtator 2026 për të mësuar vendimin final për fatin e jetës së tyre në vijim.

Kjo shtyrje pas datës së korrikut që ishte caktuar më herët, ka krijuar pakënaqësi te të akuzuarit si dhe mbështetësit e tyre në Kosovë.

Gjykata Speciale me seli në Hagë tha se e shty vendimin për shkak se procesi është shumë kompleks, delikat dhe me mori provash për tu shqyrtuar.

Megjithatë, vendimi konsiderohet abuziv. Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së e cilësoi shtyrjen e vendimit sj të papranueshëm, duke paralajmëruar protesta.

“Vendimi është i papranueshëm. Ne si OVL-UÇK protestojmë ashpër ndaj këtij vendimi, ndaj këtyre gjyqtarëve. Po dihet se gjyqtarët janë në koordinim me prokurorët.

Dëmi është shumë i madh kur bashkëpunojnë gjyqtarët me Prokurorinë. Kemi frikë se mund të ndodhë edhe më e keqja, por serish jam optimist se krerët e UÇK-së do të lirohen si të pafajshëm”, deklaroi Hysni Gucati, Kryetar i OVL të UÇK-së.

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami, tha se vendimi i fundit i Speciales është skandaloz.

“Edhe protesta është një mjet demokratik për t’i treguar edhe Hagës, edhe shteteve financuese të kësaj gjykate që populli i Kosovës është me krerët e UÇK-së edhe që populli i Kosovës nuk pranon asnjë verdikt dënues nga një gjykatë e cila në mënyrë sistematike ka shkelur të drejtat e njeriut, ka shkelur të gjitha normat e një drejtësie dhe një gjyqi fer dhe të drejtë”.

Për kryetarin e PDK-së Bedri Hamza Gjykata Speciale në Hagë po vepron më shumë si një instrument politik sesa si një gjykatë që udhëhiqet nga parimet e së drejtës.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në vitet 1998-1999, akuza që janë refuzuar nga 4 ish komandantët e UÇK-së, ndërsa Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin me nga 45 vite burg për secilin.

Pse u refuzua kërkesa e Veselit

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për lirim të përkohshëm. Kryeprokurorja e Hagës, Kimberly West, ka dhënë pretendimet e saj pse Kadri Veseli duhet të vazhdojë të mbahet në paraburgim.

Ajo ka përmendur disa prej rreziqeve për frikësim të dëshmitarëve, ndërkohë që ka përmendur edhe 16 shtatorin si datë kur do të shpallet vendimi final në Hagë dhe thotë se kjo nuk e bën joproporcional vazhdimin e paraburgimit.

“Së fundi, caktimi i shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për 16 shtator 2026 nuk përbën ndryshim thelbësor të rrethanave që do të kërkonte rivlerësimin e vazhdimit të paraburgimit të Veselit ose që do ta bënte atë joproporcional. Përkundrazi, kjo konfirmon se paraburgimi do të vazhdojë vetëm edhe për një periudhë të kufizuar prej dy muajsh, aq sa konsiderohet rreptësisht e nevojshme duke pasur parasysh përmasat dhe kompleksitetin e çështjes, si dhe rëndësinë e akuzave të konfirmuara.

Duke marrë parasysh:

(i) klimën e vazhdueshme të frikësimit dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve, si dhe vëmendjen e shtuar publike për shkak të afrimit të shpalljes së aktgjykimit;

(ii) rreziqet e vazhdueshme që Veseli të pengojë zhvillimin e procedurës ose të kryejë vepra të tjera penale, të cilat janë trajtuar më sipër;

(iii) pamundësinë që masat alternative ndaj paraburgimit t’i neutralizojnë këto rreziqe; dhe

(iv) rrethanat specifike të çështjes, të cilat Trupi Gjykues i ka identifikuar edhe më herët, periudha e mbetur tashmë e kufizuar e paraburgimit nuk e bën atë joproporcional”, thuhet në letrën e West.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit