

Në Vlorë po mbahen sot homazhe në nderim të gazetarit Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën mbrëmë në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti tragjik me motor në zonën e Porto-Novës pranë Zvërnecit.
Ceremonia përkujtimore dy orëshe, në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, nisi në orën 12:00, ku familjarë, kolegë, miq dhe figura publike janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit gazetarit.
Në homazhe ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, i cili shprehu ngushëllimet për familjen e të ndjerit.
Rama u pa teksa qëndroi për disa minuta pranë nënës së gazetarit, duke i shprehur mbështetjen dhe solidaritetin në këtë moment të vështirë.
Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e kaluar në Porto-Nova të Vlorës. Sipas të dhënave paraprake të Policisë, Enrik Mehmeti ishte duke lëvizur me një motomjet me katër rrota, kur dyshohet se, për shkak të një manovre të gabuar, humbi kontrollin dhe mjeti u përmbys disa herë.
Gjatë aksidentit, një pjesë metalike e mjetit e goditi rëndë në kraharor, duke i shkaktuar plagë të rënda që rezultuan fatale.
Në momentin e aksidentit, në mjet ndodhej edhe një 18-vjeçar me inicialet K. S., i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit.
Enrik Mehmeti ishte i njohur për raportimet e tij të vazhdueshme nga qarku i Vlorës, duke sjellë me profesionalizëm ngjarjet, nga kronika e zezë, operacionet policore, deri te zhvillimet sociale, politike dhe turistike.
I ndjeri njihej për praninë e shpejtë në vendngjarje dhe për këmbënguljen për të sjellë informacion të verifikuar, edhe në situata të vështira.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






