Transmetuar më 19-07-2026, 13:17

Policia e Lushnjës ka arrestuar një 36-vjeçar, i dyshuar për kryerjen e dy vjedhjeve brenda dy ditësh dhe për zjarrvënie të qëllimshme në një lokal në fshatin Plug.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni policor i koduar “Again” bëri të mundur zbardhjen e dy rasteve të vjedhjes dhe vënien në pranga të shtetasit me inicialet M. G., banues në zonë, i cili rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Nga hetimet paraprake dyshohet se më 16 korrik, 36-vjeçari ka vjedhur dy bateri automjetesh, ndërsa një ditë më vonë ka hyrë në një lokal në orët e para të mëngjesit, ku ka marrë një shumë parash dhe një kompjuter portativ (laptop).

Sipas Policisë, pas kryerjes së vjedhjes, ai dyshohet se i ka vënë zjarrin lokalit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Autoritetet bëjnë me dije se arrestimi u realizua në kuadër të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjeve. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.

Hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe verifikimin e përfshirjes së mundshme të të arrestuarit në raste të tjera vijojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit