

Hetimet për vrasjen e Edmond Sulës në Bërxullë vijojnë në disa pista, ndërsa një javë pas atentatit autoritetet kanë zbuluar një tjetër element që po verifikohet.
Sipas burimeve hetimore, 50-vjeçari rezultonte bashkëaksioner në një kompani të licencuar për kultivimin e kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut.
Për këtë arsye, autoritetet shqiptare pritet t’u kërkojnë zyrtarisht homologëve maqedonas informacion mbi aktivitetin e tij në këtë shtet, për të verifikuar nëse ka pasur konflikte që mund të lidhen me atentatin.
Një tjetër pistë ku janë përqendruar hetimet është aktiviteti i Sulës në fushën e shitblerjes së pronave.
Hetuesit po verifikojnë konfliktet e mundshme që ai mund të ketë pasur në këtë veprimtari, e cila konsiderohet aktualisht një nga pistat kryesore për zbardhjen e motivit të krimit.
Edmond Sula u ekzekutua më 12 korrik, teksa po hynte në banesën e tij në Bërxullë. Sipas të dhënave paraprake të grupit hetimor, ai u vra me një plumb të vetëm, të qëlluar me një armë me precizion të lartë, të pajisur me dylbi.
Hetuesit dyshojnë se autori ka qëlluar nga një distancë e konsiderueshme. Në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë, element që përforcon dyshimet se atentati ka qenë i planifikuar me kujdes dhe është kryer me mjete të sofistikuara.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të motiveve të ekzekutimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






