

Janë zbardhur emrat dhe detaje të reja nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Vajkal të Bulqizës, ku një person mbeti i plagosur me armë gjahu.
Burime policore thanë për noa.al se Artur Çupi dyshohet se ka plagosur aksidentalisht Naxhi Bicin, i cili u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, në një zonë bujqësore të fshatit. Sipas të dhënave paraprake, Çupi ka qëlluar me armë gjahu tip çifte, pasi ka dyshuar se në tokën e mbjellë ndodheshin kafshë të egra që po dëmtonin të mbjellat.
Pas të shtënave, ai ka konstatuar se kishte plagosur aksidentalisht një person.
I plagosuri, Naxhi Bici, është transportuar me urgjencë në Spitalin e Bulqizës, ku ka marrë ndihmën mjekësore. Gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka kryer veprimet e para në vendngjarje dhe po vijon hetimet për të sqaruar plotësisht dinamikën e incidentit. Materialet pritet t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






