Transmetuar më 19-07-2026, 11:59

Pesë persona që rezultonin të zhdukur pas fundosjes së një anijeje pasagjerësh në Indonezi janë gjetur të gjallë, pasi kanë arritur të mbijetojnë për katër ditë në det të hapur.

Ngjarja ka ndodhur në provincën Sulawesi Jugor, ku anija u fundos të mërkurën. Sipas mediave lokale, të mbijetuarit u zbuluan pranë ishullit Matallang, pasi u pikasën nga ekuipazhi i një anijeje peshkimi që po kalonte në zonë.

Pesë personat u gjetën duke qëndruar mbi ujë dhe duke u mbajtur pas një pajisjeje për grumbullimin e peshkut, e cila u ka shërbyer si mjet mbijetese gjatë ditëve që kanë kaluar në det.

Autoritetet kanë konfirmuar deri tani një viktimë nga aksidenti, ndërsa pas fundosjes 24 persona rezultuan të zhdukur. Shpëtimi i pesë personave ka sjellë shpresë për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë.

Personat e shpëtuar janë transportuar për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, të cilët po vlerësojnë gjendjen e tyre shëndetësore pas qëndrimit të gjatë në det.

Ndërkohë, operacioni i kërkim-shpëtimit vijon. Autoritetet indoneziane kanë zgjeruar zonën e kërkimit dhe kanë angazhuar mjete e forca shtesë për gjetjen e personave të tjerë që ende rezultojnë të zhdukur.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit