

Pavarësisht rritjes së burimeve financiare për pushtetin vendor, pjesa më e madhe e buxheteve të bashkive vijon të përdoret për paga dhe shpenzime operative, ndërsa investimet zënë një pjesë të kufizuar.
Sipas raportit të Financave Vendore për vitin 2025, vetëm rreth 18-20% e shpenzimeve të bashkive shkojnë për investime kapitale, ndërsa pjesa tjetër përdoret për funksionimin e administratës dhe ofrimin e shërbimeve.
Në total, bashkitë kanë shpenzuar gjatë vitit 2025 rreth 92.4 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 40 miliardë lekë janë përdorur për paga dhe sigurime shoqërore, 29.1 miliardë lekë për shpenzime operative, ndërsa vetëm 23.2 miliardë lekë për investime.
Të dhënat tregojnë se në shumë bashki të vogla dhe të mesme, shpenzimet për paga dhe operacione zënë më shumë se 60% të buxhetit, duke kufizuar fondet që mund të përdoren për projekte zhvillimi.
Ndryshe paraqitet situata në bashkitë e mëdha. Në Tiranë rreth 40% e buxhetit të vitit 2025 është orientuar drejt investimeve, ndërsa në bashki si Durrësi dhe Elbasani ky raport është rreth 30%.
Investimet vendore janë fokusuar kryesisht në infrastrukturë rrugore, ujitje-kullim, menaxhim të mbetjeve dhe zhvillim urban. Krahasuar me vitin 2015, investimet nga burimet e veta janë rritur nga 12 miliardë lekë në rreth 23.2 miliardë lekë në vitin 2025.
Raporti evidenton gjithashtu rritjen e shpenzimeve për paga dhe shërbime, e cila lidhet me zgjerimin e funksioneve të bashkive pas reformës administrativo-territoriale të vitit 2015, si dhe me transferimin e disa përgjegjësive nga ministritë e linjës drejt pushtetit vendor.
Megjithëse buxhetet vendore janë rritur, struktura aktuale e shpenzimeve tregon se një pjesë e konsiderueshme e fondeve ende shkon për funksionimin e administratës dhe jo për projekte të reja zhvillimi ekonomik në komunitete.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






