

Hetimet për atentatin ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, i njohur edhe si Sandri Rubati, po vijojnë në disa pista. Grupi hetimor ka përjashtuar si drejtim kryesor të hetimit konfliktin e ndodhur një natë para ngjarjes, ku i përfshirë dyshohet të ketë qenë djali i tij.
Një natë para atentatit, në të njëjtën zonë, djali i Rubatit, 27-vjeçari Andrea Rubati, së bashku me dy persona të tjerë, dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur me thikë oficerin e policisë Mihal Velço.
Megjithatë, hetuesit dyshojnë se ky episod mund të jetë shfrytëzuar nga autorët e atentatit për të zhvendosur vëmendjen dhe për të orientuar hetimet drejt një piste tjetër.
Aktualisht, puna hetimore është përqendruar te konfliktet e mëparshme, larja e hesapeve dhe çështjet e pronësisë. Sipas dyshimeve, këto konflikte mund të kenë lidhje edhe me probleme dokumentacioni dhe falsifikime.
Atentati ndodhi mbrëmjen e së premtes në Sarandë. Autorët e dyshuar lëviznin me një motomjet dhe mbanin skafandra për të fshehur identitetin. Ata kanë ardhur nga rruga “Mithat Hoxha”, në drejtim të portit, dhe kanë qëlluar me armë zjarri ndaj Rubatit.
Arma e përdorur dyshohet të jetë pistoletë e kalibrit 9 mm. Nga të dhënat paraprake rezulton se ndaj 50-vjeçarit janë qëlluar rreth 9 plumba.
Rubati ka marrë tre plagë dhe është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Më tej ai u dërgua në spitalin e Janinës në Greqi.
Pas sulmit, autorët janë larguar nga e njëjta rrugë, në drejtim të zonës së plazheve pranë Baba Rexhepit. Hetuesit dyshojnë se më pas ata mund të jenë larguar me skaf, ndërsa me vete kanë marrë edhe motorin e përdorur në atentat.
Kush është Thimjo Rubati?
Thimjo Rubati është një emër i njohur për autoritetet, për shkak të disa episodeve të mëparshme në historikun e tij penal.
Ai rezulton të ketë vuajtur dënim edhe në Greqi, ku ishte arrestuar për një çështje të lidhur me vrasje. Rubati ka dalë nga burgu rreth dy vite më parë.
Në vitin 2018, Gjykata e Tiranës e dënoi me 3 vite burg për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Dënimi lidhej me një skemë kontrabande automjetesh, ku dyshohej se ishin përfshirë edhe punonjës doganash. Ndërsa ai vuante dënimin në Greqi, Gjykata e Apelit në Shqipëri vendosi në vitin 2023 konvertimin e dënimit në 2 vite shërbim prove.
Pas kthimit në Shqipëri, në janar 2024, Rubati u procedua sërish në gjendje të lirë nga Policia e Sarandës. Ai dyshohej se, në bashkëpunim me një person tjetër, kishte trafikuar një automjet tip “Toyota” dhe kishte ndërhyrë në elementët identifikues të tij.
Emri i tij është përmendur edhe më parë në hetime dhe raportime publike, kryesisht për çështje që lidhen me kontrabandën e automjeteve dhe episode të tjera të regjistruara ndër vite.
Sipas të dhënave të bëra publike, precedentët e Rubatit nisin që në fillim të viteve 2000, kur ai është arrestuar në Sarandë për dyshime lidhur me trafikim të paligjshëm emigrantësh.
Më pas, ai është proceduar edhe për çështje të tjera, përfshirë armëmbajtje dhe kontrabandë automjetesh të vjedhura nga Greqia drejt Shqipërisë.
Me precedentë penalë rezulton edhe djali i tij, Andrea Rubati. Ai u arrestua në vitin 2022, pasi u kap duke drejtuar një automjet të vjedhur në Itali.
Së fundmi, sipas burimeve policore, Andrea Rubati dyshohet se është përfshirë në konfliktin me oficerin e policisë Mihal Velço dhe ndodhet në kërkim për kanosje dhe dhunim.
Policia dhe grupi hetimor po vijojnë verifikimet për identifikimin e autorëve të atentatit. Paralelisht, po hetohen të gjitha pistat që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






