

Pas një muaji emocionesh, surprizash dhe spektakli, sot vjen momenti kulmor i Kupës së Botës 2026. Në stadiumin MetLife në New Jersey, Spanja dhe Argjentina përballen në finalen e madhe për trofeun më prestigjioz të futbollit botëror.
Për herë të parë në histori, një finale Botërori vendos përballë kampionen në fuqi të Evropës dhe kampionen në fuqi të Amerikës së Jugut, në një përplasje që pritet të ndiqet nga miliona tifozë në mbarë botën.
Spanja ka qenë skuadra më e qëndrueshme e këtij turneu. Ekipi i Luis de la Fuente ka pësuar vetëm një gol dhe nuk ka qenë asnjëherë në disavantazh gjatë ndeshjeve të Botërorit. Iberikët kanë vendosur edhe një rekord me gjashtë sfida pa pësuar gol, ndërsa pas barazimit në ndeshjen hapëse ndaj Kepit të Gjelbër, fituan gjashtë takime radhazi duke kaluar kundërshtarë si Austria, Portugalia, Belgjika dhe Franca.
Në anën tjetër, Argjentina vjen me besimin e kampiones në fuqi. Skuadra e Lionel Scalonit siguroi finalen e shtatë në historinë e saj pas një rikthimi dramatik ndaj Anglisë në gjysmëfinale, të fituar 2-1. “Albiceleste” ka një seri prej 14 fitoresh radhazi dhe synon të bëhet vetëm kombëtarja e dytë pas Italisë dhe Brazilit që arrin të mbrojë titullin botëror.
Finalja sjell edhe një përballje simbolike mes dy epokave të futbollit. Në njërën anë është Lionel Messi, i cili pritet të luajë ndeshjen e fundit në një Kupë Bote dhe kërkon një tjetër trofe për ta mbyllur në mënyrën më të mirë kapitullin e tij me Argjentinën. Në anën tjetër është Lamine Yamal, talenti spanjoll që po shkëlqen në skenën më të madhe dhe kërkon të vendosë emrin e tij në historinë e futbollit.
Bilanci i përballjeve mes dy kombëtareve është i barabartë: gjashtë fitore për Spanjën, gjashtë për Argjentinën dhe dy barazime. Në Kupën e Botës janë përballur vetëm një herë, në vitin 1966, me triumfin e Argjentinës.
Spanja kërkon të kurorëzojë një turne perfekt me trofeun e dytë botëror në histori, ndërsa Argjentina synon të mbajë kurorën dhe të shkruajë një tjetër kapitull të artë.
Sonte, në New Jersey, bota do të mësojë kampionin e ri të futbollit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






