Transmetuar më 19-07-2026, 10:17

Policia ka goditur një bazë armësh në Manzë të Durrësit, ku dyshohet se mbaheshin armë dhe municione që mund të shërbenin për furnizimin e grupeve kriminale.

Në kuadër të operacionit të koduar “Baza”, është arrestuar në flagrancë një 20-vjeçar me inicialet E. P., banues në Manzë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu sekuestruan një arsenal armësh, konkretisht:

4 pistoleta; 1 armë automatike model 56 (kallashnikov); 1 armë gjahu (shotgun); 6 krehëra; qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm; 1 targë automjeti italiane; 1 aparat celular.

Sipas policisë, armët dyshohet se shërbenin për furnizimin e grupeve kriminale. Ato do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.

20-vjeçari akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit.

Njoftimi i policisë

Manzë / Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Baza”.

Zbulohet një bazë me arsenal armësh dhe municioni luftarak, që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale.

Arrestohet në flagrancë një 20-vjeçar.

Sekuestrohen 4 pistoleta, 1 kallashnikov, 1 armë gjahu (shotgun), 6 krehëra, qindra fishekë luftarakë, 1 targë automjeti italiane dhe 1 aparat celular.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në bashkëpunim me strukturat operacionale të DVP Durrës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Baza”.

Si rezultat i këtij operacioni u zbulua një bazë ku mbaheshin armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se shërbenin për furnizimin e grupeve kriminale.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. P., 20 vjeç, banues në Manzë, Durrës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri automatike model 56 (kallashnikov), 1 armë gjahu (shotgun), 6 krehëra, qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 1 targë automjeti italiane dhe 1 aparat celular.

Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. P.

Armët do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit