

VLORË – Gazetaria shqiptare është në zi pas ndarjes së parakohshme nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën në moshën 40-vjeçare si pasojë e një aksidenti me motomjet në zonën e Porto Novës, pranë Zvërnecit.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, Mehmeti po drejtonte një motomjet me katër rrota në një zonë bregdetare, kur dyshohet se humbi kontrollin e mjetit, i cili u përmbys. Për shkak të dëmtimeve të rënda të marra, ai ndërroi jetë në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Enrik Mehmeti ishte një nga emrat më të njohur të gazetarisë lokale në Vlorë. Për më shumë se dy dekada ai raportoi zhvillimet më të rëndësishme nga qyteti bregdetar, duke mbuluar kronikën, politikën, kulturën, sportin dhe çështjet sociale.
Lidhja e tij me gazetarinë nisi që në moshë të vogël. Gjatë ngjarjeve të vitit 1997, kur ishte vetëm 11 vjeç, ai u angazhua si përkthyes në kuadër të operacionit ndërkombëtar "Alba", ku trupat italiane ndodheshin në Shqipëri për rikthimin e rendit dhe stabilitetit.
Në vitet që pasuan, Mehmeti iu përkushtua profesionit të gazetarit, duke qenë vazhdimisht pranë ngjarjeve më të rëndësishme në Vlorë dhe duke fituar besimin e publikut falë raportimeve të shpejta dhe të sakta.
Përveç pasqyrimit të aktualitetit, ai u dallua edhe për angazhimin në ngritjen e problematikave të komunitetit dhe për rolin e tij si një zë i rëndësishëm në jetën publike të qytetit.
Ndarja e tij nga jeta ka lënë një boshllëk të madh në komunitetin mediatik dhe në qytetin e Vlorës, ku kolegë, miq dhe qytetarë e kujtojnë si një gazetar të përkushtuar, profesionist dhe gjithmonë pranë njerëzve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






