Transmetuar më 18-07-2026, 23:24

VLORË – Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas aksidentit tragjik që i mori jetën gazetarit vlonjat Enrik Mehmeti, 40 vjeç, mbrëmjen e së shtunës në zonën e Porto Novës, pranë Zvërnecit.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40, në zonën e Dajlanit, në një hapësirë bregdetare jashtë rrugës. Nga hetimet paraprake rezulton se Mehmeti po drejtonte një motomjet me katër rrota, kur dyshohet se humbi kontrollin e tij. Mjeti u përmbys, duke i shkaktuar drejtuesit dëmtime të rënda.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. Gazetari u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Në motomjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi me inicialet K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se aksidenti ka ndodhur jashtë zonës rrugore dhe nuk ka pasur përfshirje të mjeteve të tjera apo përdoruesve të tjerë të rrugës.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit