

Të shtëna me armë zjarri në Vaun e Dejës, policia rrethon zonën dhe nis hetimet
Shkodër – Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Barbullush, në bashkinë Vau i Dejës, duke shkaktuar alarm te banorët e zonës.
Sipas informacioneve paraprake, disa krisma janë dëgjuar në zonë, ndërsa menjëherë pas sinjalizimit, forca të shumta policie janë dërguar në vendngjarje për të kryer verifikimet dhe për të sqaruar rrethanat.
Deri më tani nuk raportohet për persona të plagosur apo viktima. Dyshimet e para janë se të shtënat mund të jenë qëlluar në ajër, por kjo mbetet për t’u konfirmuar nga hetimet.
Policia ka rrethuar zonën dhe po kryen kontrolle, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin e personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në orët në vijim pritet një njoftim zyrtar me më shumë detaje.
Vau i Dejës / Informacion paraprak
Më datë 18.07.2026, rreth orës 22:15, në fshatin Barbullush, Vau i Dejës, dyshohet se, gjatë një konflikti të çastit mes disa shtetasve, njëri prej tyre, gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






