

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Zvërnecit, pranë daljes së Dalanit. Viktimë e ngjarjes ka mbetur gazetari 40-vjeçar Enrik Mehmeti.
Sipas informacioneve paraprake, Mehmeti ishte duke lëvizur me një motor me katër rrota në zonën e plazhit të Porto Novës, kur dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit gjatë një manovre.
Si pasojë e përplasjes, mjeti është rrotulluar disa herë, ndërsa një pjesë metalike e tij e ka goditur rëndë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Pas aksidentit, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Burime paraprake bëjnë me dije se dëmtimet kanë prekur kraharorin dhe organet jetësore, duke e bërë gjendjen e tij kritike që në momentet e para.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Përditësim 22:50 Komunikatë nga Policia e Vlorës
Rreth orës 21:40, në zonën e Dajlanit, në Vlorë, në bregdet dhe jashtë zonës rrugore, ka ndodhur një ngjarje aksidentale me pasojë humbjen e jetës së shtetasit E. M., rreth 40 vjeç, banues në Vlorë (gazetar).
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, duke lëvizur me një motomjet me katër rrota, ai ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, i cili është përmbysur. Si pasojë e përmbysjes, drejtuesi i motomjetit, shtetasi E. M., ka pësuar dëmtime të rënda trupore.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. I dëmtuari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë.
Në motomjet ndodhej si pasagjer shtetasi K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta pa probleme për jetën.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja aksidentale ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






