

Sportisti kosovar Bujar Muli ka realizuar një sfidë të jashtëzakonshme force, duke siguruar një vend në Librin e Rekordeve Guinness pasi arriti të përballojë një peshë prej 2 mijë kilogramësh mbi trup.
Tentativa për rekord u zhvillua në sallën sportive “Jeton Tërstena” në Vushtrri, në praninë e përfaqësuesve zyrtarë të Guinness World Records, të cilët verifikuan dhe certifikuan arritjen.
Sipas vlerësimit të jurisë, sfida nuk kërkonte vetëm forcë fizike ekstreme, por edhe përgatitje të lartë mendore dhe disiplinë të vazhdueshme për ta përballuar ngarkesën.
Pas realizimit të rekordit, Bujar Muli u shpreh krenar për suksesin, duke theksuar se pas shumë vitesh stërvitje, sakrificash dhe përballjesh me dëmtime, arriti të përmbushte objektivin e tij.
“Ky është një çmim shumë i vlefshëm pas shumë sakrificave dhe ushtrimeve. Arritëm ta kurorëzojmë me një rekord prej 2000 kilogramësh, diçka që deri më sot nuk e kishte bërë askush”, deklaroi Muli.

Ky është rekordi i dytë me të cilin sportisti kosovar regjistrohet në Librin Guinness, një arritje që ai e cilësoi si sukses jo vetëm personal, por edhe një moment krenarie për Kosovën.
Muli kërkoi më shumë mbështetje për sportistët vendas, duke theksuar se talenti dhe potenciali ekzistojnë, por nevojitet përkrahje më e madhe institucionale për zhvillimin e sportit.
Arritja u përshëndet edhe nga kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili e vlerësoi rekordin si një moment të rëndësishëm për qytetin dhe vendin.
Sfidën e ndoqën nga afër shumë qytetarë në sallën sportive, të cilët dëshmuan momentin kur Kosova regjistroi një tjetër arritje në skenën ndërkombëtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






