

Kylian Mbappé ka ndarë një mesazh emocionues për Didier Deschamps, i cili mbyll sonte kapitullin e tij 14-vjeçar në drejtimin e kombëtares franceze.
Trajneri i “Les Bleus” do të ulet për herë të fundit në stolin e Francës në përballjen ndaj Anglisë për vendin e tretë në Kupën e Botës, një ndeshje që shënon fundin e një epoke të rëndësishme për futbollin francez.
Kapiteni i Francës, Kylian Mbappé, ka zgjedhur të falënderojë publikisht trajnerin që e udhëhoqi ekipin drejt sukseseve të mëdha, duke vlerësuar ndikimin e tij në rikthimin e kombëtares franceze në majat e futbollit botëror.
“Njerëzit nuk e kanë vlerësuar gjithmonë madhështinë tënde, por koha dhe historia do të kujdesen për këtë”, shkroi Mbappé në mesazhin e tij.
Sulmuesi francez theksoi se ndihet me fat që ka qenë pjesë e kësaj periudhe nën drejtimin e Deschamps, duke e cilësuar atë një prej figurave më të mëdha të futbollit francez.
“Është shumë e vështirë të përshkruash me fjalë atë që ke bërë gjatë 14 viteve. Ke qenë një figurë kyçe në rilindjen e këtij ekipi”, u shpreh Mbappé.
Ai gjithashtu shprehu keqardhje që skuadra nuk arriti t’i dhuronte trajnerit një mbyllje më të mirë të aventurës së tij.
“Na ke dhënë kaq shumë. Ne duhet të të kishim dhënë një fund më të mirë, por nuk ia dolëm”, shkroi kapiteni francez.
Gjatë mandatit të tij, Deschamps udhëhoqi Francën drejt triumfit në Kupën e Botës 2018, si dhe në finale të tjera madhore, duke u bërë një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e kombëtares.
Mbappé e mbylli mesazhin e tij duke i uruar sukses trajnerit në aventurën e re dhe duke e falënderuar për kontributin e tij ndaj fanellës së Francës.
“Jam i privilegjuar që kam qëndruar përkrah një prej legjendave më të mëdha të vendit tonë. Faleminderit për gjithçka që ke bërë për këtë fanellë”, përfundoi ai.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






