Transmetuar më 18-07-2026, 20:40

Dhjetë oficerë të Policisë së Shtetit, mes tyre edhe gjashtë drejtues të nivelit të parë, kanë humbur certifikatën e sigurisë pas dyshimeve për probleme me pastërtinë e figurës dhe indicie për kontakte me persona të përfshirë në veprimtari kriminale.

Të dhënat janë bërë publike nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka bërë të ditur se gjatë një periudhe njëvjeçare janë ndërmarrë një sërë verifikimesh për oficerët që kërkojnë akses në informacionet e klasifikuara.

Certifikata e sigurisë është dokumenti që u mundëson një kategorie të caktuar punonjësish të policisë të njihen dhe të administrojnë informacion të klasifikuar me nivelin “Sekret Shtetëror”.

Sipas AMP-së, përveç 10 oficerëve të cilëve u është hequr certifikata, 19 oficerëve të tjerë u është refuzuar pajisja me këtë dokument, ndërsa 4 komisarëve u është pezulluar përkohësisht, deri në përfundimin e proceseve të tyre me drejtësinë.

33 aplikantë morën vlerësim negativ

Nga 1487 oficerë policie që kanë aplikuar për pajisjen me certifikatën e sigurisë, rezulton se 33 prej tyre kanë marrë rezultat negativ. Në këtë grup përfshihen edhe punonjës të rolit bazë dhe një punonjës i Ministrisë së Brendshme.

Verifikimet janë kryer nga institucionet përgjegjëse për sigurinë e informacionit, përfshirë Shërbimin Informativ Shtetëror, Agjencinë e Inteligjencës dhe strukturat policore, të cilat kanë vlerësuar nëse aplikantët plotësojnë kriteret për akses në informacionet e klasifikuara.

Vendimet u janë përcjellë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, të cilat duhet të përshtatin pozicionet e punës së punonjësve që nuk mund të kenë më akses në dokumente të klasifikuara.

Vettingu në Policinë e Shtetit vijon me ritme të ngadalta

Kontrollet për pastërtinë e figurës së punonjësve të policisë vijojnë edhe përmes procesit të rivlerësimit kalimtar, i nisur në vitin 2018 dhe i fokusuar kryesisht te drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.

Procesi, i njohur ndryshe si kontrolli i “300 drejtuesve”, është ndikuar nga lëvizjet e shpeshta të drejtuesve në departamente, drejtori vendore dhe komisariate, duke sjellë ndërprerje dhe vonesa në disa raste.

Sipas AMP-së, gjatë gjashtë muajve të fundit janë kryer 26 kontrolle të trefishta, ku 15 raste janë konfirmuar, ndërsa për 11 drejtues të tjerë procesi është ndërprerë, pasi gjatë verifikimit ata nuk kanë qenë më në pozicione drejtuese.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit