Transmetuar më 18-07-2026, 19:42

Irani ka sulmuar Arabinë Saudite për herë të parë pas afro tre muajsh, duke shkaktuar aktivizimin e sistemeve të alarmit në disa zona strategjike të mbretërisë.

Sipas burimeve të cituara nga Reuters, sulmet gjatë orëve të natës prekën zonat pranë Al Kharj, në lindje të kryeqytetit Riad, si dhe Yanbu, në bregun e Detit të Kuq.

Një prej zonave që u vu në alarm ishte edhe Baza Ajrore e Princ Sultan, ku janë të dislokuara forca amerikane. Aktivizimi i sistemeve të mbrojtjes dhe alarmit ka rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon.

Mediat shtetërore saudite konfirmuan se sistemet e alarmit të hershëm ishin aktivizuar, por nuk dhanë detaje mbi shkakun konkret të alarmit apo për dëme të mundshme materiale.

Deri më tani, Garda Revolucionare Islamike e Iranit nuk ka marrë përgjegjësinë dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me ndonjë sulm ndaj territorit saudit.

Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku çdo përplasje mes Iranit dhe vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara shihet si një faktor që mund të sjellë përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak në rajon.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit