

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja hetimore që lidhet me zhdukjen e 69 milionë lekëve të rinj në filialin e Postës Shqiptare në Durrës. Hetimet e Prokurorisë dhe Policisë kanë dokumentuar me pamje filmike lëvizjet e parave në ambientet e institucionit, duke ngritur dyshime se procedurat janë shkelur në mënyrë të përsëritur gjatë muajve prill dhe maj 2026.
Për këtë çështje, ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, është lënë në masën e sigurisë "arrest me burg", ndërsa ish-shefja e financës Valbona Duni dhe ish-arkëtarja Paola Dana janë vendosur në "arrest shtëpie".
Sipas hetimeve, gjatë periudhës prill–maj 2026 nuk është kryer arkëtimi i shumës prej 69 milionë lekësh të rinj në degët e Shijakut dhe Krujës. Prokuroria po vijon verifikimet për të përcaktuar destinacionin e parave dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në skemë.
Ish-drejtoresha: "Nuk e di ku kanë përfunduar paratë"
Gjatë seancës gjyqësore, Elisabeta Mataj nuk ka dhënë shpjegime mbi fatin e shumës së munguar. E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar 69 milionë lekët, ajo është përgjigjur shkurt se nuk kishte dijeni.
Çfarë zbuluan kamerat e sigurisë
Sipas dosjes hetimore, pamjet filmike tregojnë se lëvizjet e vlerave monetare janë kryer në kundërshtim me rregulloren e brendshme të Postës Shqiptare dhe procedurat ligjore.
Më 2 prill 2026, në filial mbërrijnë vlera monetare të shoqëruara nga punonjës të Postës dhe shoqëria e sigurisë "Nazeri". Pak minuta më vonë, shefja e financës Valbona Duni merr një thes me para nga ambienti i arkës dhe fillimisht e çon në zyrën e saj. Më pas, thesin e transferon në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj, ku qëndron për disa minuta. Pas largimit të Dunës, Mataj del nga zyra me një qese të bardhë transparente, përmbajtja e së cilës nuk mund të identifikohet nga kamerat.
Po atë ditë rezulton edhe mandat-pagesa nr. 2330 me vlerë 5 milionë lekë për degën e Shijakut, dokument i nënshkruar nga Mataj, Duni, Dana dhe arkëtarja e degës Shijak, Flora Nexha, firma e së cilës dyshohet të jetë falsifikuar.
Episodet e përsëritura
Hetuesit kanë evidentuar një model të ngjashëm veprimi edhe në ditët në vijim.
14 prill – Valbona Duni merr një thes me para nga arka dhe e dërgon në zyrën e saj. Dosja përfshin mandat-pagesën nr. 2706 me vlerë 10 milionë lekë për degën e Krujës, ku dyshohet se është falsifikuar firma e arkëtares Valentina Guni. 15 prill – përsëritet e njëjta procedurë me një tjetër mandat prej 10 milionë lekësh për degën e Krujës. 20 prill – ndihmësarkëtarja i dorëzon Valbona Dunës rreth 10 fasheta me kartëmonedha 5 mijë lekëshe, të cilat transportohen në zyrën e saj. Në dokumentacion figuron një mandat-pagesë prej 5 milionë lekësh për degën e Shijakut. 24 prill – nga dy thasët e sjellë nga banka, njëri merret nga Valbona Duni dhe dërgohet në zyrën e saj. Edhe kjo datë shoqërohet me një mandat-pagesë prej 5 milionë lekësh për Shijakun. 30 prill – një tjetër thes me para përfundon në zyrën e shefes së financës.
Lëvizjet e dyshimta në muajin maj
Pamjet filmike të 7 majit konsiderohen ndër episodet më domethënëse të dosjes. Valbona Duni merr një thes me para nga arka dhe futet në zyrën e saj. Pak çaste më vonë, nga ajo zyrë del drejtoresha Elisabeta Mataj, e cila rikthehet në zyrën e saj. Menjëherë pas saj hyn edhe Duni me të njëjtin thes. Të dyja dalin disa minuta më vonë pa thesin me para, i cili nuk shihet më në pamje.
Një ditë më pas, më 8 maj, Duni merr një pako të madhe kartëmonedhash me prerje 5 mijë lekëshe, e mbështjell me mandat-pagesë dhe e çon në zyrën e saj. Dosja përfshin mandatin nr. 4320 me vlerë 5 milionë lekë për degën e Shijakut.
Ndërsa më 21 maj, ajo merr rreth 12 fasheta me kartëmonedha nga arka, i mbështjell me mandat-pagesë dhe i dërgon në zyrën e drejtoreshës. Kamerat tregojnë se Duni del vetëm me dokumentin në dorë, ndërsa pakot me para mbeten brenda zyrës së Matajt. Pak sekonda më pas, drejtoresha largohet nga zyra duke folur në telefon.
Hetimet vijojnë
Prokuroria dyshon se mandat-pagesat e përfshira në skemë mbajnë firma të falsifikuara të punonjëseve të degëve të Shijakut dhe Krujës. Hetimet janë përqendruar në zbardhjen e plotë të mekanizmit të dyshuar të përvetësimit të fondeve, identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar dhe destinacionin përfundimtar të shumës prej 69 milionë lekësh të rinj.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






