

Finalja e Kupës së Botës pritet të mbërthejë miliona tifozë para ekranit, por specialistët e kardiologjisë kujtojnë se emocionet e forta dhe stresi i lartë mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e zemrës, veçanërisht te personat me sëmundje kardiovaskulare ose faktorë të njohur rreziku.
Sipas studimeve shkencore, ndeshjet me ngarkesë të lartë emocionale janë shoqëruar me rritje të rasteve të infarktit, aritmive dhe komplikacioneve të tjera kardiovaskulare. Një studim i publikuar pas Kupës së Botës 2006 në Gjermani tregoi se urgjencat për probleme të zemrës u rritën 2.7 herë gjatë ndeshjeve të kombëtares gjermane.
Mjekët shpjegojnë se gjatë momenteve me stres të fortë organizmi çliron hormone si kortizoli dhe katekolaminat, të cilat rrisin tensionin arterial, përshpejtojnë rrahjet e zemrës dhe mund të favorizojnë formimin e mpiksjeve të gjakut.
Rreziku konsiderohet më i lartë për personat që kanë kaluar infarkt, mbajnë stent, vuajnë nga hipertensioni, diabeti, kolesteroli i lartë ose çrregullimet e ritmit të zemrës.
Ekspertët theksojnë se ndikim negativ mund të kenë edhe zakonet që shpesh shoqërojnë ndjekjen e ndeshjeve, si konsumimi i tepërt i alkoolit, duhanit, ushqimeve të rënda dhe mungesa e gjumit.
Mjekët këshillojnë që tifozët të mos neglizhojnë shenjat paralajmëruese, si dhimbja e fortë në gjoks që përhapet drejt shpatullës, qafës ose shpinës, gulçimi i papritur dhe rrahjet e çrregullta të zemrës. Nëse shfaqet ndonjë prej këtyre simptomave, rekomandohet kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






