

SHBA – Në prag të finales së Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës, Lionel Messi ka folur me vlerësim për talentin spanjol Lamine Yamal, duke i dërguar njëkohësisht edhe një mesazh para përballjes vendimtare.
Gjatë konferencës për shtyp të organizuar një ditë para finales, kapiteni i Argjentinës u pyet për sulmuesin 19-vjeçar të Spanjës, i cili konsiderohet si një nga talentet më premtues të futbollit botëror.
Messi vlerësoi cilësitë e Yamalit dhe parashikoi një të ardhme të ndritur për të, por theksoi se shpreson që suksesi i tij të mos vijë në finalen e së dielës.
“Lamine është një lojtar që mund të arrijë shumë. Ai ka një karrierë të madhe përpara dhe mundësinë për të shkruar histori, por shpresoj që të mos jetë këtë herë”, u shpreh Messi.
Ylli argjentinas kujtoi gjithashtu fotografinë e famshme të realizuar vite më parë, ku një Messi i ri shfaqej pranë një Lamine Yamali foshnjë, një imazh që është bërë simbolik për kalimin e brezave në futboll.
“Jeta është e pabesueshme. Pas asaj fotografie, tani po luajmë kundër njëri-tjetrit në finalen e Kupës së Botës. Ne do të përpiqemi të bëjmë që ai të mos jetë në formën e tij më të mirë të dielën, edhe pse e dimë se do të jetë shumë e vështirë”, deklaroi kapiteni i Argjentinës.
Finalja mes Argjentinës dhe Spanjës pritet të sjellë edhe duelin simbolik mes legjendës Lionel Messi dhe yllit në ngjitje Lamine Yamal, në një sfidë që pritet të jetë një nga momentet më të shumëpritura të Botërorit 2026.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






