

Nju Jork – Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duhet të përballet me drejtësinë nëse viziton qytetin për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.
Mamdani iu referua urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) ndaj Netanyahut dhe tha se administrata e tij do të shqyrtojë opsionet ligjore që mund të jenë në dispozicion, duke vepruar brenda kuadrit ekzistues ligjor.
“Besoj se kryeministri Netanyahu i përket Hagës. Ai është një kriminel lufte i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”, deklaroi Mamdani, duke shtuar se do të respektojë ligjet në fuqi në Nju Jork.
Kryebashkiaku theksoi se nuk synon të ndryshojë ligjet për këtë qëllim, por do të shqyrtojë çdo mundësi që lejohet nga legjislacioni aktual.
Megjithatë, çështja ka shkaktuar debate ligjore, pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare nuk ka juridiksion në Shtetet e Bashkuara dhe ekspertë ligjorë kanë vënë në dyshim mundësinë që autoritetet lokale të zbatojnë një urdhër të tillë. Ligjet federale amerikane kufizojnë bashkëpunimin e institucioneve vendore me GJPN-në dhe mbrojnë zyrtarë të huaj në rrethana të caktuara.
Më herët, edhe guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, ka deklaruar se kryebashkiaku i qytetit nuk ka kompetencën për të realizuar një arrestim të tillë.
Deklaratat e Mamdanit vijnë në një kohë kur konflikti Izrael-Hamas dhe situata humanitare në Gaza vazhdojnë të jenë në qendër të debatit ndërkombëtar. Gjykata Penale Ndërkombëtare ka deklaruar se ka gjetur baza të arsyeshme për të hetuar përgjegjësi të mundshme për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa Izraeli i ka mohuar akuzat.
Nju Jorku, përveçse është selia e Kombeve të Bashkuara, është gjithashtu qyteti me një nga komunitetet më të mëdha hebraike në botë jashtë Izraelit. Netanyahu ka marrë pjesë rregullisht në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe ka deklaruar se nuk do të pengohet nga kërcënimet për arrestim.
Mamdani ka mbajtur më herët qëndrime kritike ndaj politikës amerikane në lidhje me Izraelin dhe ka kërkuar ndryshime në qasjen ndaj ndihmës ushtarake për këtë vend, duke argumentuar se politika aktuale ndaj Gazës duhet të rishikohet.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






