

Venezuelë – Mbi 5 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën muajin e kaluar, ndërsa autoritetet kanë siguruar fonde ndërkombëtare për përballimin e pasojave dhe rindërtimin e zonave të prekura.
Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, bëri të ditur se bilanci i viktimave nga tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ka kaluar shifrën e 5 mijë të vdekurve. Lëkundjet sizmike ndodhën më 24 qershor, me vetëm një minutë diferencë nga njëra-tjetra, duke shkaktuar dëme të mëdha, veçanërisht në shtetin bregdetar të La Guaira, në veri të Karakasit.
Autoritetet raportojnë se numri i të plagosurve mbetet rreth 16,740 persona, ndërsa shumica e tyre janë larguar tashmë nga spitalet.
Presidentja e përkohshme Delcy Rodriguez njoftoi se Venezuela ka siguruar 346 milionë dollarë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për riparimin e dëmeve dhe mbështetjen e procesit të rindërtimit.
Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, konfirmoi shpërndarjen e fondeve, duke deklaruar se institucioni ka bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë për të mundësuar aksesin në burime financiare për nevoja urgjente humanitare.
Ndërkohë, rreth 20 mijë persona që kanë humbur banesat e tyre vazhdojnë të jetojnë në kampe të përkohshme, ku raportohen mungesa në furnizimin me ujë dhe kushtet bazë sanitare.
Venezuela disponon rreth 3.568 miliardë të Drejta Speciale të Tërheqjes (SDR) në FMN, të barasvlershme me rreth 5.1 miliardë dollarë, fonde të cilat kishin qenë të ngrira për shkak të mosnjohjes së qeverisë së Nicolás Maduros nga institucioni financiar ndërkombëtar.
FMN dhe Banka Botërore kanë njoftuar më herët rifillimin e marrëdhënieve me Venezuelën, pas një periudhe ndërprerjeje që kishte nisur në vitin 2019.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






