Transmetuar më 18-07-2026, 15:45

Norvegji – Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë zonën rezidenciale të Krokstadelva, në komunën Drammen të Norvegjisë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe detyruar qindra banorë të largohen nga banesat e tyre.

Sipas raportimeve të para, më shumë se 100 shtëpi janë shkatërruar plotësisht, ndërsa mbi 400 persona janë evakuuar për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.

Zjarri shpërtheu të premten pasdite në një zonë kodrinore dhe më pas u përhap me shpejtësi drejt banesave. Edhe pse situata paraqitet më e stabilizuar krahasuar me ditën e parë, autoritetet thonë se ende ka vatra aktive dhe rreziku nuk është eliminuar plotësisht.

Në operacionin e shuarjes janë angazhuar më shumë se 100 zjarrfikës, mjete të shumta zjarrfikëse, helikopterë dhe forca të policisë. Në ndihmë kanë ardhur gjithashtu Forcat e Armatosura dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Sipas policisë, zjarri dyshohet se ka nisur në një apartament dykatësh dhe më pas është përhapur në banesat përreth. Deri tani nuk raportohet për viktima apo persona të zhdukur, ndërsa dy persona janë dërguar në spital për shkak të problemeve nga thithja e tymit. Një zjarrfikës ka pësuar dëmtime të lehta, ndërsa disa efektivë policie janë prekur nga tymi.

Për shuarjen e flakëve janë përdorur edhe helikopterë, të cilët kanë hedhur rreth 800 mijë litra ujë mbi zonën e prekur.

Drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes Civile dhe Planifikimit të Emergjencave (DSB), Lars Jacob Heim, e ka cilësuar ngjarjen si një nga zjarret më të mëdha të regjistruara në kohët moderne në Norvegji.

Ekspertët e lidhin përhapjen e shpejtë të zjarrit me temperaturat e larta dhe kushtet e thata të krijuara pas një periudhe të gjatë me mot të nxehtë. Sipas studiuesve, kombinimi i banesave prej druri, terrenit të pjerrët dhe erërave të forta ka favorizuar përhapjen e menjëhershme të flakëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit