

Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se procesi i riorganizimit të strukturave drejtuese të kësaj force politike ka sjellë një ndryshim të thellë në përfaqësim, duke e cilësuar atë si “ripërtëritjen më të madhe të PD-së që nga themelimi”.
Në komunikimin e tij virtual të fundjavës, Berisha tha se ndryshimet në forumet drejtuese kanë synuar rritjen e përfshirjes së të rinjve dhe grave në strukturat e partisë.
“Sipas tij, ky proces nuk është zhvilluar vetëm në kuptimin numerik, por edhe për të adresuar mungesat në përfaqësim brenda partisë”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha bëri të ditur se në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, 60% e anëtarëve janë të rinj dhe gra, ndërsa sipas tij, dy të tretat e drejtuesve të rinj janë zgjedhur për herë të parë.
Ai theksoi gjithashtu se ka pasur ndryshime të rëndësishme në strukturat drejtuese, duke bërë të ditur se nga 14 sekretarë të partisë, vetëm tre prej tyre janë rizgjedhur.
“Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD-së pas themelimit të saj”, deklaroi Berisha.
Një tjetër çështje e trajtuar nga kreu demokrat ishte edhe përfshirja e diasporës në strukturat e partisë. Ai tha se për herë të parë është institucionalizuar roli i saj, duke përmendur zgjedhjen e një nënkryetareje dhe një sekretari përgjegjës për diasporën.
Në fjalën e tij, Berisha komentoi edhe protestën e zhvilluar në Tiranë, duke shprehur mbështetjen për vijimin e saj dhe duke u bërë thirrje qytetarëve e demokratëve që t’i bashkohen aksioneve opozitare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






