Transmetuar më 18-07-2026, 13:26

ANGLI – Një 29-vjeçar shqiptar, i identifikuar nga mediat britanike si Dorian Puka, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas publikimit të një videoje në Instagram, ku shfaqet duke u dhënë qenve të tij kartëmonedha 20 dhe 50 paund. Videoja është bërë virale në rrjetet sociale, ndërsa ai ndodhet në procedura ligjore që lidhen me deportimin nga Mbretëria e Bashkuar.

Sipas raportimeve të mediave britanike, Puka është dënuar më parë për vjedhje me thyerje dhe është deportuar dy herë nga Britania. Autoritetet dyshojnë se ai është rikthyer në mënyrë të paligjshme në vend, ndërsa aktualisht po apelon vendimin për dëbimin e tij, pasi kërkesa për azil i është refuzuar.

Gjatë 18 muajve të fundit, 29-vjeçari ka publikuar vazhdimisht në rrjetet sociale pamje që shfaqin një stil luksoz jetese. Në postimet e tij shihen makina sportive si Ferrari dhe Lamborghini Urus, si edhe disa orë luksoze Rolex, të cilat, sipas mediave britanike, kanë një vlerë të konsiderueshme.

Videoja e fundit, ku ai shihet duke u ofruar qenve të tij pitbull "Cobra" dhe pug-ut "Mouse" tufa me kartëmonedha, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik britanik dhe është komentuar gjerësisht nga mediat.

Sipas autoriteteve britanike, dosja penale e Pukës përmbush kriteret për deportim automatik. Megjithatë, procedurat ligjore të lidhura me kërkesën e tij për azil dhe apelimet kanë bërë që ai të mbetet në Mbretërinë e Bashkuar për më shumë se tre vjet.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike deklaroi se autoritetet po ndërmarrin të gjitha hapat ligjorë për të siguruar largimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur, duke shtuar se nuk mund të japin komente të mëtejshme për shkak të procedurave në zhvillim.

Rasti është bërë pjesë e debatit politik në Britani mbi emigracionin e paligjshëm dhe deportimin e shtetasve të huaj të dënuar për vepra penale. Sipas mediave britanike, qeveria po shqyrton ndryshime ligjore që synojnë përshpejtimin e procedurave të dëbimit dhe kufizimin e mundësive për apelim në raste të ngjashme.

Sipas të njëjtave raportime, Puka u dënua fillimisht në vitin 2016 për tentativë vjedhjeje me thyerje dhe u deportua një vit më vonë. Pas rikthimit të paligjshëm në Britani, ai u arrestua sërish për një seri vjedhjesh në Londër, u dënua me tre vjet e gjysmë burg dhe u deportua për herë të dytë në mars të vitit 2020. Autoritetet britanike dyshojnë se ai është rikthyer përsëri në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa çështja e tij vijon të shqyrtohet nga gjykatat.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit