Transmetuar më 18-07-2026, 12:35

KOSOVË- Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës nuk do të mbahet gjatë muajit korrik, por do të caktohet në fillim të muajit gusht.

Haxhiu premtoi se brenda javës së ardhshme do të bëhet publik njoftimi zyrtar me datën dhe orën e saktë të mbledhjes, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për të siguruar pjesëmarrjen e të 120 deputetëve, siç e kërkon aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë. Dhe kjo është e rëndësishme edhe për deputetët që në seancën konstituive të jenë të gjithë, 120 deputetët, ashtu siç edhe thekson aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Haxhiu.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të qershorit nga KQZ-ja më 8 korrik, Kuvendi ka kohë deri më 7 gusht për t’u konstituuar. Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025, ky afat 30-ditor nuk nënkupton thjesht mbledhjen fizike, por përmbylljen e të gjitha veprimeve funksionale, verifikimin e mandateve, betimin e deputetëve dhe zgjedhjen e Kryetarit e të nënkryetarëve të Kuvendit. Pa këto hapa, Kuvendi nuk mund të ushtrojë asnjë funksion kushtetues.

“Duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kam vlerësuar që t’u jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Haxhiu

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit