Transmetuar më 18-07-2026, 11:01

Tiranë – Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme edhe për turistët dhe vizitorët e huaj, veçanërisht sa i përket rregullave të hyrjes, qëndrimit dhe procedurave kufitare.

Sipas një analize të publikuar nga revista amerikane “Travel Off Path”, Shqipëria është kthyer vitet e fundit në një nga destinacionet turistike më tërheqëse në Evropë, falë kostove më të ulëta të jetesës, natyrës, bregdetit dhe mundësive për qëndrime afatgjata për të huajt.

Aktualisht, vendi ofron një regjim më fleksibël për disa shtetas të huaj. Qytetarët amerikanë, për shembull, mund të qëndrojnë në Shqipëri deri në një vit pa vizë, një mundësi që e ka bërë vendin tërheqës edhe për nomadët digjitalë.

Megjithatë, pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria do të duhet të përshtatë politikat e saj me rregullat e BE-së për vizat dhe emigracionin. Kjo mund të sjellë ndryshime në kohëzgjatjen e qëndrimit dhe procedurat për qytetarët nga vendet jashtë unionit.

Një tjetër ndryshim i mundshëm lidhet me kontrollet kufitare. Shqipëria do të duhet të zbatojë standardet evropiane, përfshirë sistemet e reja të regjistrimit të hyrje-daljeve dhe kontrollet biometrike për udhëtarët nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, anëtarësimi në BE nuk nënkupton automatikisht hyrjen në Zonën Shengen. Shembujt e vendeve si Kroacia, Rumania dhe Bullgaria tregojnë se ky proces mund të kërkojë kohë edhe pas anëtarësimit në union.

Për turistët, një nga ndryshimet më të ndjeshme mund të jetë kufizimi i qëndrimit sipas rregullave evropiane, ku shtetasit jashtë BE-së zakonisht lejohen të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.

Nga ana tjetër, anëtarësimi në Bashkimin Evropian pritet të sjellë më shumë investime, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të infrastrukturës, faktorë që mund të ndikojnë pozitivisht në rritjen e mëtejshme të turizmit.

Shqipëria vijon të konsiderohet një nga destinacionet me potencialin më të madh në Mesdhe, ndërsa sfida kryesore në vitet e ardhshme do të jetë ruajtja e avantazheve turistike gjatë procesit të integrimit evropian.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit