

Tiranë – Nëntë persona, administratorë ose përfaqësues të subjekteve tregtare në kryeqytet, janë proceduar penalisht pas një operacioni të Policisë së Tiranës kundër tregtimit të produkteve të dyshuara të kontrabanduara.
Operacioni, i koduar “Illegal trade”, u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas kontrolleve të ushtruara në tetë subjekte që merreshin me tregtimin e pajisjeve elektronike, veshjeve dhe aksesorëve të markave luksoze.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 16 telefona celularë, 10 njësi kompjuterike, një laptop, si dhe 11 çanta dhe veshje të markave luksoze, të cilat dyshohet se nuk kishin dokumentacion që provonte origjinën dhe zhdoganimin e tyre.
Sipas policisë, nga verifikimet rezultoi gjithashtu se disa prej subjekteve nuk deklaronin të ardhurat e siguruara nga shitjet pranë organeve tatimore. Në njërin prej bizneseve u konstatua edhe shitja e produkteve pa lëshuar kupon tatimor, duke sjellë pezullimin e aktivitetit.
Në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi penal për shtetasit me inicialet Gj. H., N. R., S. S., A. D., B. D., A. L., A. L., K. Gj. dhe J. B., të cilët dyshohen se kishin rol administrues ose përfaqësues në subjektet e kontrolluara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme ligjore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






