

Izrael – Autoritetet izraelite kanë ndërmarrë një ndryshim në klasifikimin ligjor të krokodilëve të Nilit, një vendim që sipas mediave vendase mund të hapë rrugën për përdorimin e tyre si pjesë e masave të sigurisë në burgje.
Sipas raportimeve, ideja u propozua në fund të vitit të kaluar nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili sugjeroi rrethimin e burgjeve me hendeqe të mbushura me krokodilë për të parandaluar arratisjet dhe për të forcuar sigurinë.
Fillimisht, plani u konsiderua i pazbatueshëm nga Autoriteti i Natyrës dhe Parqeve të Izraelit, pasi krokodilët e Nilit klasifikoheshin si kafshë të egra që mund të mbaheshin vetëm në kopshte zoologjike ose rezervate natyrore.
Megjithatë, mediat izraelite raportojnë se Ministrja e Mbrojtjes së Mjedisit, Idit Silman, ka riklasifikuar krokodilin e Nilit si një "kafshë të egër të kujdesur", duke lejuar mbajtjen e tyre edhe në ambiente të tjera, përfshirë potencialisht institucionet penitenciare.
Vendimi ka ngjallur debat, pasi këshilltarja ligjore e ministrisë thuhet se ka argumentuar se ministrja nuk kishte kompetencë për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme statusin e kësaj specieje. Sipas raportimeve, Ben-Gvir dhe Silman zhvilluan gjithashtu një takim me përfaqësues të Autoritetit të Natyrës dhe Parqeve për të diskutuar zbatimin e planit.
Mediat izraelite bëjnë të ditur se Ben-Gvir synon që projekti të zbatohet fillimisht në burgun Ketziot, në jug të Izraelit, ku mbahen kryesisht të burgosur palestinezë. Pas paraqitjes së idesë, Shërbimi i Burgjeve të Izraelit (IPS) raportohet se e shqyrtoi propozimin dhe dërgoi oficerë në fermën e krokodilëve Hamat Gader për t’u njohur me mënyrën e mbajtjes dhe menaxhimit të zvarranikëve.
Sipas gazetës Maariv, IPS e ka vlerësuar pozitivisht propozimin, duke shqyrtuar mundësinë e përdorimit të krokodilëve më të vegjël, të cilët kushtojnë rreth 8 mijë dollarë secili, në vend të ekzemplarëve më të mëdhenj me një kosto prej rreth 20 mijë dollarësh. Një burim i cituar nga media izraelite është shprehur se investimi konsiderohet i arsyeshëm në raport me përfitimet e mundshme për sigurinë e burgjeve.
Plani mbetet në fazë diskutimi dhe deri më tani nuk është bërë e ditur nëse do të marrë miratimin përfundimtar për zbatim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






