

Sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2024 u regjistruan 21,102 vdekje, nga të cilat 11,694 ose 53% u shkaktuan nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut. Kjo do të thotë se më shumë se një në dy persona humb jetën për shkak të problemeve të zemrës ose goditjeve në tru.
Ky nivel është dukshëm më i lartë se mesatarja evropiane, ku sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë rreth 30% të vdekjeve. Në vende si Franca dhe Danimarka kjo përqindje ka zbritur në rreth 21%, falë politikave të forta parandaluese dhe diagnostikimit të hershëm.
Ekspertët e shëndetit publik e lidhin situatën në Shqipëri me mungesën e kontrolleve periodike, diagnostikimin e vonuar, duhanpirjen, stresin, dietën e pasur me kripë dhe yndyra, si edhe plakjen e popullsisë. Shqetësues mbetet edhe fakti se infarktet dhe goditjet në tru po shfaqen gjithnjë e më shpesh në mosha më të reja.
Të dhënat tregojnë se qarqet veriore kanë normat më të larta të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare. Kukësi kryeson me 62.5% të vdekjeve të lidhura me aparatin e qarkullimit të gjakut, i ndjekur nga Shkodra, Lezha dhe Dibra. Në anën tjetër, Gjirokastra paraqet nivelin më të ulët në vend.
Në vitin 2024, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore shpenzoi rreth 4.5 miliardë lekë për rimbursimin e barnave dhe financimin e ndërhyrjeve për trajtimin e sëmundjeve të zemrës.
Mjekët theksojnë se shumica e rasteve mund të parandalohen përmes:
kontrolleve të rregullta të tensionit, kolesterolit dhe sheqerit në gjak; uljes së konsumit të kripës dhe yndyrave të ngopura; ndërprerjes së duhanit; aktivitetit fizik të përditshëm; mbajtjes nën kontroll të peshës trupore dhe stresit.
Ekspertët vlerësojnë se Shqipëria ka nevojë për investime më të mëdha në mjekësinë parandaluese, zgjerimin e rrjetit të kardiologjisë në të gjithë vendin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, në mënyrë që sëmundjet e zemrës të zbulohen dhe trajtohen përpara se të kthehen në urgjenca me pasoja fatale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






