

Policia e Sarandës ka dhënë informacion zyrtar për atentatin e ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin bregdetar, ku mbeti i plagosur 50-vjeçari Thimjo Rubati.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 21:15 në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë biznesit të tij, ku 50-vjeçari u qëllua me armë zjarri në rrethana ende të paqarta.
Rubati ka marrë plagë të rënda dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Sarandës, është transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Sipas raportimeve paraprake, ai është goditur nga tre plumba në kofshë, bark dhe në anën e djathtë të gjoksit.
Lidhur me autorët, dyshohet se kanë qenë dy persona të pajisur me skafandra, të cilët kanë qëlluar në drejtim të 50-vjeçarit dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me motor.
“Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për mbledhjen e provave, zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve të atentatit.
Njoftimi i Policisë
Sarandë / Informacion paraprak
Rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4, në Sarandë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri para biznesit të tij, shtetasi Th. R., 50 vjeç. Ai është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë qenë dy persona me skafandra, të cilët janë larguar nga vendngjarja me motomjet.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
***
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se atentati është kryer nga dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me një motoçikletë. Pas të shtënave, autorët janë larguar me shpejtësi dhe, sipas të njëjtave burime, kanë humbur gjurmët në zonën e Baba Rexhepit, në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 4, ku menjëherë pas njoftimit forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes, rrethuan zonën dhe ngritën pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






