Transmetuar më 17-07-2026, 22:25

Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e së premtes lagjen nr. 4 të Sarandës, ku objektiv i sulmit ka qenë 50-vjeçari Thimjo Rubati, i njohur edhe si Sandër Rubati.

Sipas të dhënave paraprake, dy persona të maskuar, të cilët udhëtonin me një motor, janë afruar pranë Rubatit dhe kanë qëlluar disa herë në drejtim të tij. Më pas autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Rubati ka mbetur i plagosur nga tre plumba dhe është transportuar fillimisht në Spitalin e Sarandës. Për shkak të gjendjes së tij, ai është nisur më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e atentatit, duke rrethuar zonën dhe nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Thimjo Rubati rezulton person i njohur për autoritetet, me precedentë penalë të lidhur me vepra të ndryshme penale, përfshirë trafikim të klandestinëve, kontrabandë, armëmbajtje pa leje dhe trafik të mjeteve motorike.

Një nga pistat që po hetohet nga policia lidhet me një konflikt të mundshëm të mëparshëm. Atentati ndodhi vetëm pak metra larg zonës ku një natë më parë u dhunua oficeri i policisë Mihal Velço.

Për këtë ngjarje të mëparshme dyshohet se janë përfshirë djali i Rubatit dhe dy persona të tjerë, të cilët gjithashtu rezultojnë me precedentë penalë.

Grupi hetimor po verifikon nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të sulmit me armë.

Sarandë / Informacion paraprak

Rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4, në Sarandë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri para biznesit të tij, shtetasi Th. R., 50 vjeç. Ai është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë qenë dy persona me skafandra, të cilët janë larguar nga vendngjarja me motomjet.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit