

Një atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku ka mbetur i plagosur rëndë 50-vjeçari Thimjo Rubati.
Sipas të dhënave paraprake, Rubati është qëlluar nga dy persona të maskuar, të cilët udhëtonin me një motomjet. Pas sulmit, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
I plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë.
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Dyshimet paraprake janë se sulmi ka qenë i mirëorganizuar, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, motivit dhe identitetit të personave të përfshirë.
Thimjo Rubati rezulton një emër i njohur për autoritetet, pasi më herët është skeduar për disa vepra penale, mes të cilave trafikim klandestinësh, kontrabandë, armëmbajtje pa leje dhe trafikim të mjeteve motorike.
Sarandë / Informacion paraprak
Rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4, në Sarandë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri para biznesit të tij, shtetasi Th. R., 50 vjeç. Ai është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë qenë dy persona me skafandra, të cilët janë larguar nga vendngjarja me motomjet.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






