

Policia e Elbasanit ka nisur procedimin penal ndaj dy personave, të dyshuar se kanë kanosur për shkak të detyrës gazetarin e News 24, Osman Stafa.
Sipas policisë, hetimi ka nisur pas denoncimit të gazetarit, i cili deklaroi se ishte ndjerë i kanosur gjatë kohës që udhëtonte në aksin rrugor Librazhd–Elbasan.
Ngjarja lidhet me një denoncim të bërë nga Stafa për ndotjen e lumit Shkumbin dhe nxjerrjen e inerteve nga shtrati i lumit. Gazetari kishte shkuar në zonë për të verifikuar shqetësimet e banorëve dhe kishte filmuar mjete të rënda që, sipas tij, po merrnin zhavor nga shtrati i lumit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë nisur procedimin penal për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.
Në hetim janë përfshirë shtetasit R. T., 33 vjeç, banues në Tiranë, dhe A. B., 31 vjeç, banues në Librazhd.
Sipas bluve, pas administrimit të të dhënave dhe provave të mbledhura gjatë fazës fillestare të hetimit, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






