

Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se grabiti me forcë xhiron ditore të një dyqani të një kompanie celulare.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:15 në lagjen nr. 16 të Durrësit, ku Gerald Ramaj dyshohet se ka hyrë në ambientet e biznesit dhe ka marrë me forcë shumën prej rreth 100 mijë lekësh, që përbënte xhiron ditore të dyqanit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale "Shqiponja", në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Falë veprimeve të shpejta operacionale, 37-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua në lagjen nr. 6 të qytetit.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të saj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






