Transmetuar më 17-07-2026, 21:02

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar pas zgjedhjeve për drejtimin e partisë, ku humbi garën për postin e nënkryetarit ndaj Belind Këlliçit.

Në një deklaratë për mediat, Boçi pranoi se procesi i votimit brenda Partisë Demokratike kishte elementë subjektivë, duke theksuar se, sipas tij, ai nuk ishte plotësisht i pastër.

“Momenti i votimit është një moment që ka shumë elementë brenda. Nuk është shumë i pastër si moment, është shumë subjektiv dhe jo shumë objektiv,” u shpreh Boçi.

Megjithatë, ai theksoi se si ai ashtu edhe Belind Këlliçi kanë pasur të njëjtat mundësi gjatë garës, duke përjashtuar pretendimet për avantazhe në proces.

“Nuk mendoj se Këlliçi ka lobuar më shumë. Këto janë gjëra që kanë relativitetin e tyre. Nuk do të hyj të gjej detaje,” deklaroi deputeti demokrat.

Boçi komentoi edhe deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e cilësoi ekipin e ri drejtues si “ekipin më të mirë në histori”.

Sipas tij, krahasimi duhet parë në kontekstin e momenteve të ndryshme politike që ka kaluar Partia Demokratike.

“Është e drejta e zotit Berisha të japë atë përcaktim. Ekipet varen edhe nga momentumi politik. Nuk është i njëjti moment me atë të katër viteve më parë, kur ishte në lojë ekzistenca e Partisë Demokratike,” tha Boçi.

Deputeti shtoi se kontributi i strukturave të mëparshme nuk duhet të harrohet, duke theksuar se situatat politike nuk mund të krahasohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe se çdo ekip duhet vlerësuar në raport me sfidat e kohës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit