

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Kosovës ka njoftuar se do të vendosë kufizime të përkohshme për qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me peshë mbi 20 tonë, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara për ditën e nesërme.
Sipas njoftimit zyrtar, masa do të zbatohet pasi temperaturat pritet të arrijnë në 32 gradë Celsius ose më shumë, kushte që mund të ndikojnë në dëmtimin e shtresës asfaltike të autoudhëve.
Kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në orën 17:30 dhe do të aplikohet vetëm në autoudhët e Kosovës.
Ndërkohë, qarkullimi i mjeteve të rënda në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse do të vijojë normalisht, pasi, sipas ministrisë, nuk janë plotësuar kriteret për vendosjen e të njëjtës masë në këto akse rrugore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se situata do të monitorohet në vijimësi dhe se qytetarët, si edhe operatorët ekonomikë, do të informohen në kohë për çdo ndryshim të mundshëm të masave të kufizimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






