

Një djalë trevjeçar, i cili mbeti i plagosur rëndë pasi dyshohet se u hodh në kafazin e krokodilëve në një kopsht zoologjik në Britaninë e Madhe, i është nënshtruar ndërhyrjes së shtatë kirurgjikale, ndërsa mjekët po punojnë për t’i rikthyer funksionin e dorës së majtë.
Ngjarja ndodhi më 18 qershor në kopshtin zoologjik Johnsons of Old Hurst, pranë Huntingdonit, në qarkun Cambridgeshire. Sipas autoriteteve britanike, një 30-vjeçar dyshohet se e ngriti fëmijën mbi gardhin mbrojtës dhe e hodhi në zonën ku mbaheshin krokodilët. Vogëlushi ra nga një lartësi rreth 4.5 metra dhe më pas u sulmua nga një prej zvarranikëve.
Fëmija ndodhet prej katër javësh i shtruar në spitalin Addenbrooke’s në Kembrixh, ku së fundmi iu nënshtrua një tjetër operacion. Sipas familjes, kirurgët kryen një transplant nervor në krahun e majtë, duke përdorur një nerv të marrë nga këmba e tij, me shpresën për të rikthyer gradualisht lëvizshmërinë e dorës.
Prindërit kanë bërë të ditur se rezultatet e ndërhyrjes do të mund të vlerësohen vetëm pas disa muajsh, ndërsa rehabilitimi pritet të jetë i gjatë.
Menjëherë pas incidentit, vogëlushi iu nënshtrua një operacioni urgjent që zgjati 12 orë. Ai pësoi dëmtime të rënda në tendina, nerva dhe enë gjaku, si dhe fraktura dhe plagë në të dy krahët, qafë, kokë dhe fytyrë.
Familja ka rrëfyer se në momentet e para mjekët i paralajmëruan për mundësinë e amputimit të gjymtyrëve dhe rrezikun për jetën e fëmijës.
Pavarësisht traumës së rëndë, prindërit thonë se gjendja e tij ka shënuar përmirësim të dukshëm. Sipas tyre, trevjeçari ka rifilluar të komunikojë me personelin mjekësor, të luajë dhe të buzëqeshë, ndërsa shpresohet që së shpejti të mund të kthehet në shtëpi për të vijuar rehabilitimin.
Pas ngjarjes, pronarët e kopshtit zoologjik hynë në kafazin ku ndodheshin rreth 50 krokodilë për të shpëtuar fëmijën.
Ndërkohë, 30-vjeçari i dyshuar është arrestuar nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia ka bërë të ditur se ai është vlerësuar i papërshtatshëm për t’u marrë në pyetje për shkak të gjendjes së tij mendore dhe është liruar me kusht, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






