Transmetuar më 17-07-2026, 18:50

Autoritetet italiane kanë arrestuar një 17-vjeçare, e dyshuar për përfshirje në ambiente ekstremiste islamike dhe për lidhje të mundshme me qarqe të propagandës xhihadiste.

E mitura, me shtetësi italiane, u ndalua më 17 korrik në qytetin e Pavias, në veri të Italisë. Pas arrestimit, ajo është transferuar në një strukturë të posaçme për të mitur, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Sipas hetimeve paraprake të autoriteteve italiane, 17-vjeçarja dyshohet se kishte krijuar disa profile në platforma online dhe në grupe të mbyllura, ku anëtarësimi bëhej vetëm përmes ftesave. Këto hapësira dyshohet se ishin të lidhura me rrjete që shpërndanin materiale propagandistike të organizatës terroriste ISIS.

Hetuesit pretendojnë se në komunikimet online të sekuestruara gjatë hetimit janë gjetur përmbajtje që promovonin dhunën në emër të ideologjisë së Shtetit Islamik, si dhe mesazhe ku e mitura shprehte gatishmëri për të marrë pjesë në një sulm terrorist.

Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar shkallën e përfshirjes së saj, kontaktet e mundshme me persona të tjerë dhe nëse ekzistonte një plan konkret për kryerjen e ndonjë akti kriminal.

Rasti mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha provat e mbledhura nga komunikimet dhe aktiviteti online i 17-vjeçares.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit