

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debatit publik mes analistit Lutfi Dervishi dhe deputetes së Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, lidhur me kursin e këmbimit të euros dhe forcimin e lekut.
Gjatë një takimi me sipërmarrësit, Rama kritikoi analistin pa i përmendur emrin, por duke iu referuar debatit të bërë viral në rrjetet sociale pas një interviste ku Dervishi e pyeti deputeten se si e shpjegonte “shpartallimin e euros”.
Në përgjigjen e saj, Çakërri deklaroi se “është forcuar leku”, duke u bërë objekt diskutimi dhe reagimesh të shumta online.
Rama tha se deklarata e deputetes ishte e saktë dhe kritikoi qëndrimin e analistit, duke pretenduar se ai nuk kishte formimin apo përvojën profesionale për të komentuar mbi çështjet ekonomike.
“Një personazh që nuk ka asnjë atribut që të mbështesë kompetencën e vet, as shkollë për ekonomi e financë, as ndonjë trajnim për ekonomi e financë, asnjë ditë punë gjëkundi, përveçse në industrinë e llafeve dhe thashethemeve”, u shpreh Rama.
Kryeministri argumentoi se situata me euron nuk duhet interpretuar si një rënie e monedhës europiane, por si një forcim i monedhës kombëtare.
“S’ka rënë euro, por është rritur leku”, tha Rama, duke shtuar se forcimi i lekut është reflektim i ndryshimeve në ekonominë shqiptare gjatë viteve të fundit.
Debati mes Dervishit dhe Çakërrit vijon të diskutohet publikisht, ndërsa kursi i këmbimit të euros dhe ndikimi i tij në ekonomi mbetet një nga temat më të komentuara.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






