Transmetuar më 17-07-2026, 18:22

Një përplasje e re politike është regjistruar mes kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pas publikimit të një videoje nga deputeti socialist lidhur me një vilë në Itali.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale, Balla i kërkon Shehajt sqarime për statusin e pronës, duke ngritur pikëpyetje mbi deklarimet e tij për pronësinë dhe shitjen e saj.

“O Gono, ku je mo burrë? E shite apo s’e shite atë të shkretën vilë? A është 250, 498, 359? E ke shitur vjet në shtator apo është akoma e jotja?”, shprehet Balla në video, duke kërkuar transparencë për çështjen e pronës.

Pas publikimit të kësaj videoje ka reaguar Agron Shehaj, i cili e ka akuzuar Ballën se ka publikuar pamje dhe të dhëna që lidhen me banesën ku jetojnë bashkëshortja dhe fëmijët e tij në Itali.

Në një deklaratë para Kryeministrisë, Shehaj pretendoi se publikimi i këtyre të dhënave është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe e cilësoi si një përpjekje për intimidim politik.

“Sot Edi Rama ka dërguar Taulant Ballën tek shtëpia ime, ka filmuar shtëpinë ku jetojnë fëmijët e mi dhe bashkëshortja ime, duke treguar edhe adresën”, deklaroi Shehaj.

Kreu i Partisë Mundësia tha se ky veprim synon të ushtrojë presion ndaj tij dhe opozitës, duke theksuar se nuk do të tërhiqet nga denoncimet ndaj qeverisë.

Deri tani, debati mes dy figurave politike vijon përmes deklaratave publike, ndërsa çështja lidhet me pretendimet për pronësinë e një vile në Itali dhe mënyrën e publikimit të informacionit mbi të.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit